9:55 pm - Wednesday April 25, 2018

10 qytetet më të mira për të jetuar në SHBA

Amerikanët zakonisht kanë njërën nga këto tri arsye kur vendosin të zhvendosen në një qytet të ri: një punë e mirë, afërsia me një person të dashur apo edhe klima më e përshtatshme. Gjithsesi, pa marrë parasysh arsyet që mund t’i ketë një person që ndërron qytetin e vendbanimit, tregu i punës dhe cilësia e jetës janë disa nga karakteristikat kryesore që duhet analizuar, para marrjes së vendimit të madh.

Së fundmi është përpiluar edhe lista e qyteteve më të mira për jetesë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për përpilimin e së cilës janë marrë parasysh një sërë faktorësh, duke filluar nga tregu i punës deri tek cilësia e jetës. Më poshtë ua kemi sjellë dhjetë qytetet e SHBA-së, që zënë pozitat e para, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

1. Denver, Kolorado

Numri i popullsisë: 2,651,392 banorë

Çmimi mesatar i një shtëpie: 270,070 euro

Paga mesatare vjetore: 47,560 euro

Në këtë qytet është duke lulëzuar sektori i teknologjisë dhe është një vend shumë i përshtatshëm për të rinjtë, të cilët mëtojnë ta fillojnë karrierën e tyre. Denveri ka njërin prej tregjeve më të shëndosha të punës dhe ka pagë mesatare vjetore mbi mesataren kombëtare, duke qenë më e madhe sesa në disa qytete, ku jeta është shumë më e shtrenjtë.

Image

2. Ostin, Teksas

Numri i popullsisë: 1,835,016 banorë

Çmimi mesatar i një shtëpie: 215,120 euro

Paga mesatare vjetore: 43,160 euro

Kryeqyteti i Teksasit ka shënuar një rritje të shpejtë në vitet e fundit, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë të popullsisë, meqë numri i popullsisë në vend është rritur për 9 për qind në periudhën 2010-2014. Për më tepër, në këtë qytet organizohen edhe festivale të shumta, që e bëjnë atë një vend të përshtatshëm për turistët, të cilët mëtojnë të kalojnë kohë kualitative, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

 

 

Image

3. Fejetvill, Arkansas

Numri i popullsisë: 483,396 banorë

Çmimi mesatar i një shtëpie: 158,830 euro

Paga mesatare vjetore: 38,010 euro

Fejetvilli është qyteti më i përballueshëm për banorët e vet në krahasim me të ardhurat mesatare në mbarë kombin. Ky qytet është vendi ku ndodhet Universiteti i Arkansasit dhe i selive të ‘Wal-Mart’-it dhe, për më tepër, është qyteti me rritjen më të shpejtë në Arkansas.

Image

4. Rejllejf-Dërhem, Karolina Veriore  

Numri i popullsisë: 1,714,629 banorë

Çmimi mesatar i një shtëpie: 193,365 euro

Paga mesatare vjetore: 45,095 euro

Ky qytet i Karolinës Veriore është më së shumti i njohur për numrin e madh të universiteteve kualitative, gjë që e ka bërë qytetin të dëshirueshëm për banorët e moshës së mesme dhe për akademikë të shumtë. Për më tepër, Rejllejf-Dërhemi është qyteti i dytë sa i përket rritjes së numrit të banorëve nga migrimi, nga të gjitha qytetet në këtë listë.

Image

5. Kolorado-Springs, Kolorado   

Numri i popullsisë: 669,070 banorë

Çmimi mesatar i një shtëpie: 198,740 euro

Paga mesatare vjetore: 41,700 euro

Përkundër faktit që është qyteti me rritjen më të vogël të numrit të popullsisë nga migrimi, nga të gjitha qytetet në këtë listë, Kolorado-Springs renditen në pozitën e pestë sa i përket qyteteve më të përshtatshme për jetesë pasi që ka një pagë mesatare shumë të pëlqyer si dhe jeta në këtë qytet është e përballueshme për shumicën e banorëve.

Image

6. Bojis, Ajdaho   

Numri i popullsisë: 639,616 banorë

Çmimi mesatar i një shtëpie: 208,400 euro

Paga mesatare vjetore: 37,240 euro

Qyteti më i populluar i Ajdahos është edhe qyteti me shkallën më të ultë të krimit nga të gjitha qytetet e mëdha. Ndonëse është një qytet relativisht i ulët, Bojisi ka një shkallë të ulët të papunësisë, gjë që e bën atë tejet të dëshirueshëm.

Image

7. Sietëll, Uashington   

Numri i popullsisë: 3,557,037 banorë

Çmimi mesatar i një shtëpie: 324,895 euro

Paga mesatare vjetore: 53,000 euro

“Amazon”, “Starbucks” dhe “Microsoft” janë vetëm disa nga gjigantët të cilët gjinden në Sietëll dhe e bëjnë këtë qytet njërin nga qytetet me tregjet e zhvilluara të punës. Tash e një kohë të gjatë Sietëlli ka arritur të zë vend në dhjetë qytetet më të dëshiruara nga banorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Image

8. Uashington D.C.

Numri i popullsisë: 5,863,608 banorë

Çmimi mesatar i një shtëpie: 336,750 euro

Paga mesatare vjetore: 59,060 euro

Uashingtoni është qyteti me tregun e tretë më të zhvilluar të punës në nivel nacional, duke pasur vetëm San Hosenë dhe San Franciskon para. Për më tepër, një masë e madhe e popullsisë së këtij qyteti kanë diploma universitare, që domosdoshmërisht e rritin cilësinë e jetës në këtë qytet, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Image

9. San-Francisko

Numri i popullsisë: 4,466,251 banorë

Çmimi mesatar i një shtëpie: 579,260 euro

Paga mesatare vjetore: 62,160 euro

Me një treg të shëndoshë pune dhe me paga të larta, lidhjet e San Franciskos me industrinë e teknologjisë e bëjnë atë një qytet të dëshirueshëm për një numër të madh amerikanësh. Për më tepër, në këtë qytet ndodhen edhe disa nga universitetet më të shquara të SHBA-së, ndërsa, një mangësi e të jetuarit në këtë qytet është kostoja e lartë e jetesës.

Image

10. San Hose, Kaliforni

Numri i popullsisë: 1,898,457 banorë

Çmimi mesatar i një shtëpie: 696,990 euro

Paga mesatare vjetore: 67,915 euro

Duke qenë kryeqendër e Luginës së Silikonit, San Hose shquhet për tregun e punës dhe për të ardhurat mesatare të banorëve të vet. Për më tepër, në këtë zonë gjenden edhe shumë kolegje e universitete të shquara, që, natyrisht, janë më tepër të përqendruara në fushën e teknologjisë. Megjithatë, kostoja e lartë e jetesës në këtë qytet ka bërë që San Hose të renditet në pozitën e dhjetë të kësaj liste.

Image

(Kosova Sot)

Filed in: Extra

No comments yet.

Leave a Reply