8:31 pm - Monday December 18, 2017

Korçarja që realizoi për herë të dytë ëndrrën e saj në Amerikë

Daniela Samara, për të dytën herë bëri realitet ëndrrën e saj, kur javën e fundit të nëntorit, hapi sallonin e saj të dytë të bukurisë “Cut for you” në 1809 Riverside Drive, Beloit, ku ofron shërbime me çmime të arsyeshme. Sallonin e parë e pati hapur në Janesville, dy vjet më parë.
“Amerika është vendi i ëndrrave. Nëse ke ëndrra të mëdha, i bën realitet,” thotë Daniela, korçarja që erdhi në SHBA 14 vjet më parë dhe u vendos në Janesville pranë të afërme të saj. Përpara se të niste punën pranë një salloni bukurie në Fort Atkinson, Wisconsin, ajo kishte ndjekur një shkollë italiane floktarie në Shqipëri. Siç tregon ajo vetë, ndonëse fliste pak anglisht kur erdhi në SHBA, kolegët dhe pronarja e dyqanit e ndihmuan që të merrte liçencën. Në fakt ajo flet me shumë emocion për mbështetjen dhe mundësitë që iu dhanë këtu, ndaj dhe i inkurajon të rinjtë këtu që të shfrytëzojnë mundësitë që u jepen dhe që nuk do t’i kishin në asnjë vend tjetër të botës.
Gjatë më shumë se një dekade punë si parukiere ajo ëndërronte që një ditë të kishte biznesin e saj dhe të punonte për vete. “Unë i dua njerëzit dhe ndjehem shumë mirë mes tyre,” thotë ajo.
Dy vjet më parë ajo arriti të hapte sallonin e saj të parë “Cut for you” në Janesville në adresën 1250 Milton Ave., ku punësoi 4 stilistë flokësh.
“Ka vazhdimisht kërkesë për sallone bukurie që ofrojnë gjithë gamën e shërbimeve me çmim të arsyeshëm dhe ku nuk ke nevojë të prenotosh paraprakisht,” thotë Daniela.
Klientët e saj kanë qenë shumë të kënaqur dhe kanë ofruar mbështetjen e tyre duke folur mirë ku mundeshin për biznesin e Danielës. Ai në fakt eci kaq mirë sa që Daniela vendosi të hapte dhe një sallon të dytë në Beloit, nga dritarja e të cilit shihet matanë rrugës, pamja e mrekullueshme e lumit. Siç tregon ajo, që përpara se ta hapte këtë sallon ajo kishte krijuar një klientelë që vinte nga Beloit-ja në Janesville për të rregulluar flokët.
Daniela thotë që iu desh të transformonte ndërtesën e mëparshme të “Bumper to Bumper” (dyqan që merret me shitjen e pjesëve të këmbimit të automjeteve), duke shtruar dysheme të reja, tavane të reja, duke e lyer etj. Aktualisht, hapësira e sallonit të rinovuar është gati 2,063 sf, por Daniela ka në plan të rinovojë dhe dhoma të tjera aty, që të vendosë shtrate ku mund të nxihesh në mënyrë artificiale me rreze ultravjollcë.
Daniela ka punësuar në sallonin e ri në Beloit 5 punonjëse të reja: Danielle Durham, Danielle Day, Heather Hudson, Josephine Lucero dhe Stephanie Secora. Biznesi i ri që u hap javën e fundit të nëntorit ofron lyerje dhe prerje flokësh, krehje, permanent, zgjatime flokësh, depilim të fytyrës e shërbime të tjera. Gjithashtu salloni u ofron shërbime dhe fëmijëve, në karrige në formë makinash të vendosura enkas për ta. Çmimi normal për një prerje flokësh është vetëm $12, por deri në janar, salloni ofron prerje flokësh me çmim $7.
Të mërkurën e kaluar një kliente që vinte aty për herë të parë, Ariel Turenne tha:
“Deri tani jam e kënaqur. Salloni është i pastër dhe shërbimi është profesional.”
Daniela tha se stafin e zgjedh me kualifikimin e duhur për të rregulluar flokë si dhe me aftësi për të komunikuar sa më mirë me klientin.
“Vëmendja jonë është 100% e fokusuar se si t’i kënaqim njerëzit me cilësi shërbimi dhe çmime të arsyeshme. Bëjmë ç’është e mundur për t’ia bërë qejfin klientit. Motoja jonë është ‘shërbimi më i mirë me çmimin më të lirë.’”
Daniela shtoi gjithashtu se për ngjyrosjen e flokëve, salloni përdor bojëra të markave nga më të mirat Redkin dhe Matrix. Ajo dhe bashkëshorti i saj Paul-i, jetojnë në Janesville dhe kanë dy vajza Patrician 16 vjeç dhe Vjolën 11. Bashkëshorti i Danielës ka punuar llogaritar dhe tani i është rikthyer studimeve për t’u bërë mësues matematike. (Viktoria Paloka/Illyria – sipas medias lokale)

Filed in: Extra, Raste suksesi

No comments yet.

Leave a Reply