8:32 pm - Monday December 18, 2017

Prapaskenat/Pse u ndërpre Lotaria? Zyrtari i lartë: Ja e vërteta

Shtëpia e Bardhë thotë se propozimi për për t’i dhënë fund “programit të Lotarisë së Diversitetit ishte që më parë i përfshirë në parimet e reformës së imigracionit që Shtëpia e Bardhë ka dorëzuar në Kongres, dhe është përfshirë në projekt-ligjin RAISE, që Presidenti e ka mbështetur”. Sqarimi erdhi nga një zyrtar pas interesimit të Zërit të Amerikës, që pasoi shqetësimet e ngjallura në vendet ku ky program është popullor, përfshirë Shqipërinë.

E reja është që ky nuk ishte një propozim i ri. Në fakt projektligji është paraqitur në Senat në shkurt të këtij viti, dhe në të thuhet se “projekt-ligji e ndryshon Ligjin për Imigracionin dhe Shtetësinë, duke e eliminuar kategorinë e vizave të diversitetit”.

Projekt-ligji ndodhet në Komisionin e Ligjeve të Senatit, në pritje për t’u diskutuar. Procesi është i tillë që kur të bëhet diskutimi, anëtarët propozojnë ndryshimet e tyre dhe votojnë nëse t’i përfshijnë ose jo këto ndryshime në variantin përfundimtar.

Në Dhomën e Përfaqësuesve nuk po diskutohet ende, megjithëse një variant i ngjashëm i quajtur Projekt-ligji “për Imigracionin në Interesin kombëtar”, është paraqitur në shtator. Të dy variantet janë sponsorizuar nga ligjvënës republikanë.

Një pyetje që po shtrohet është nëse është i justifikuar shqetësimi se ky program vë në rrezik sigurinë kombëtare. Përgjigia varet nga interpretimi i argumentave. Për shembull autori i sulmit në Nju Jork, Saifullo Saipov nga Uzbekistani, është i pesti përfitues nga programi i përfshirë në akte terroriste në Shtetet e Bashkuara, sipas Qendrës për Studimet e Imigracionit, që në fakt është një organizatë që favorizon emigracion të ulët.

Presidenti Trump tha se preferon një program të mbështetur tek meritat, që ai beson se do të ishte më i favorshëm për sigurinë dhe ekonominë e Shteteve të Bashkuara.

“Duam ta eliminojmë imigrimin zinxhir. Ky person hyri dhe solli me vete njerëz të tjerë. Dhe ai ishte pikë kontakti, sipas informacioneve paraprake për 23 persona të tjerë që erdhën dhe kjo është e papranueshme”, tha ai.

Në më pak se tre vjet janë mbajtur tre seanca dëgjimore lidhur me ekspozimin ndaj rreziqeve të sigurisë kombëtare nga ky program. No vitin 2013 inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Shtetit dëshmoi se programi “pataqet rreziqe për sigurinë kombëtare nga zyrtarë armiqësorë të zbulimit, kriminelë, dhe terroristë që mund të përpiqen ta përdorin programin për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, si banorë të përhershëm”.

Por demokratët thonë se programi i cili favorizon vende që nuk kanë nivele të mjaftueshme imigrimi në Shtetet e Bashkuara, i shërben diversitetit të vendit.

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo e akuzoi presidentin se po politizonte sulmin.

“Mesazhet e presidentit në Twitter, nuk ndihmojnë. Nuk besoj se ishin të mbështetura në fakte. Mendoj se kishin tendencën që të gjenin fajtorë dhe të politizojnë situatën”.

Analistët e kundërterrorizmit janë gjithashtu skeptikë se eliminimi I programit do të përmirësonte sigurinë në Shtetet e Bashkuara.

“Ne nuk po përballemi vetëm me problemin e terrrorizmit ndërkombëtar nga njerëz që vijnë këtu nga vendet e huaja. Ky nuk është problem aq u madh sa ekstremizmi i të radikalizuarve brenda vendit, ku persona që kanë lindur dhe janë rritur në Shtetet e Bashkuara hyjnë në rrugën e esktremizmit të dhunshëm”, thotë Bennet Clifford, një studiues i terrorizmit në Universitetin George Washington.

Programi filloi në vitet 1990, kur Senatori Schumer e propozoi atë. Por në vitin 2013, ai ishte pjesë e një grupi dypartiak për t’i dhënë fund programit, në favor të një sistemi meritash, i cili dështoi pasi Dhoma e Përfaqësuesve nuk votoi fare për të./voa

Filed in: Lajme

No comments yet.

Leave a Reply