Zyra konsullore: Si të veproni për Lotarinë, vizat turistike dhe bashkimet familjare. Përgjigje të pyetjeve të qytetarëve

Ambasada e Shteteve të Bashkuara u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve. Ja informacionet e nevojshme dhe përzgjedhja për në intervistë

1 – Burri im është zgjedhur në Dv-Lottery 2018, djali ynë i cili ishte nën 21 vjeç në momentin e aplikimit dhe mbushi 21 vjeç ne mars 2017. Si duhet të veproj?

Zyra konsullore: “Ekziston një formulë për të parë nëse fëmija (i pamartuar, mbi 21 vjeç) mund të përfitojë ose jo nga Akti i Mbrojtjes së Statusit të Fëmijës (CSPA). Formula e CSPA aplikohet vetëm pasi t’ju ketë dalë data e intervistës. Gjithsesi, tek çështjet e Lotarisë, shumë pak raste mund të kualifikohen nga formula e CSPA”.

2 – Mjafton që sponsori të më dërgojë fotokopjen e pasaportës apo duhet edhe certifikata e natyralizimit?

Zyra konsullore: “Mjafton njëra nga to. Ose Green Card”.

3 – Kjo përzgjedhje si bëhet? Përzgjidhen me apo pa shkollë? Me apo pa profesion? Nuk besoj mos ketë një kriter në përzgjedhje.

Zyra konsullore: “Ke të drejtë që e bën këtë pyetje. Çdo aplikimi i vendoset një numër dhe kompjuteri përzgjedh në mënyrë të rastësishme. Ndaj nëse dikush që nuk e ka kualifikimin mund të rezultojë i përzgjedhur, do të skualifikohet gjatë intervistës për vizë në Seksionin Konsullor. Ndaj ne theksojme të lexohen udhëzimet përpara se të aplikohet për lotarinë”.

4 – Unë jetoj në SHBA me bashkëshorten time. Në muajin korrik të këtij viti, mamaja ime ka marrë vizën turistike për të ardhur në SHBA për të më vizituar. Për arsye familjare ajo nuk u nis dot dhe doja të dija sa kohë ka vlefshmëri viza nga momenti që është marrë për t’u nisur në SHBA?

Zyra konsullore: “Ne e kuptojmë se planet mund të ndryshojnë, ndaj ajo mund të niset kur ta mendojë të arsyeshme. Kini parasysh që viza turistike ka për qëllim një qëndrim për një kohë të shkurtër në SHBA – viza turistike NUK është për të jetuar në SHBA dhe as për të punuar atje. Përndryshe, ju mund të gjendeni i papranueshëm sipas ligjit të imigracionit. Në përgjithësi, ju duhet të qëndroni për aq kohë sa ju keni deklaruar në aplikimin tuaj për vizë. Gjithashtu, brenda një viti nuk mund të qëndroni më shumë se gjashtë muaj në total. Me vizë turistike është e ndaluar të punoni në SHBA. Nëse oficeri i imigracionit ngre dyshime që qëllimi juaj i vizitës nuk është turistik, por për punë, juve mund t’ju revokohet viza”.

5 – Unë dhe djali im 16-vjeçar kemi vizë amerikane. Por dua të shkoj të kaloj Krishtlindjet atje. Këtë herë dua të marr me vete dhe vajzën time, ajo është 17 vjeç. A mundet ajo si minorene të aplikojë dhe të futet vetëm në ambasadë?

Zyra konsullore: “Ajo duhet të kryejë një aplikim, të caktojë datën e të paraqitet për intervistë. Një prind mund ta shoqërojë në intervistë”.

6 – Desha të di nëse aplikimi për Lotarinë Amerikane mund të bëhet në një noter, pasi është më e sigurt? Po nëse dikush nga Amerika bën aplikimin e Lotarisë Amerikane për mua?

Zyra konsullore: “Ne rekomandojmë ta bëni vetë aplikimin, apo të përdorni ndihmën e një miku; por nëse nuk mundeni, ju mund të përdorni një zyrë që merret me aplikime. Gjithsesi, duhet të keni kujdes dhe të merrni fletën e konfirmimit pas aplikimit”.

7 – Jam në bashkim familjar nga bashkëshorti im. Ai është duke bërë dokumentet për në NVC, por nuk ka të ardhura të mjaftueshme. Në momentin që bashkëshorti do të dërgojë dokumentet në NVC duhet edhe garancia e dytë për në NVC apo garancia e dytë duhet para se të bëjë intervistën në Tiranë? Çfarë dokumentesh duhen nga sponsori i dytë?

Zyra konsullore: “Edhe garancia nga sponsori shtesë i duhet dërguar NVC. SPONSORI TJETËR (joint sponsor): Nëse të ardhurat e peticionerit janë nën 125 pёr qind tё nivelit tё varfërisë (poverty guideline), që vendoset çdo vit nga Departamenti Amerikan i Shërbimeve të Shëndetit dhe Njeriut, apo nёse ju nuk jeni i kualifikueshёm pёr tё sponsorizuar financiarisht tё afёrmin tuaj, ju duhet të siguroni një sponsor tjetër, qё tё dorёzojё: Formulari I-864 (Affidavit of Support) – Një garanci financiare origjinale (jo fotokopje, as me e-mail) për secilin peticion; Nёse sponsori ёshtё i/e martuar, bashkёshorti ose bashkёshortja e tij/saj duhet gjithashtu tё plotёsojё dhe dorёzojё formularin I-864A (vini re: formulari I-864A ёshtё i ndryshёm nga I-864); fotokopje tё pasaportёs, ose tё certifikatёs sё natyralizimit, ose të kartës së rezidentit të përhershëm të ligjshëm; dhe formularin Ë-2; Fotokopje të pasaportës amerikane të sponsorit, ose tё certifikatёs sё natyralizimit, ose të kartës së rezidentit të përhershëm të ligjshëm; Vërtetim punësimi të lëshuar muajin e fundit, i cili tё pёrmbajё informacion se pёr sa kohё ka qenё i punёsuar dhe rrogёn e tij; Fletëpagesat (pay stubs) e 6 javëve të fundit; Taksat e vitit të fundit (Formulari 1040), ose një transkript apo kopje të taksave (tax return transcript) të marrë direkt nga Shërbimi i Brendshëm i të Ardhurave (IRS). Ky dokument nuk duhet tё jetё mё i vjetёr se 12 muaj kur tё paraqitet nё ditёn e intervistёs; Formularët W-2 të vitit të fundit për të gjitha punët”.

8 – Pse nuk na sjell SHBA investime në fabrika e projekte që të mos ikim të tërë, të ngelim ca këtu, të punojmë e jetojmë me shpresë për një ditë më të mirë. Më duket sikur bëhet emigrim i organizuar dhe i sponsorizuar nga shteti. Si mendoni?

Zyra konsullore: “Qëllimi ynë është vetëm informues për ata që dëshirojnë të aplikojnë. Neve na vjen keq kur refuzojmë dikë në sportel, ndërkohë që po të kishte lexuar rregullat ky person ose nuk aplikonte fare, ose nuk bënte ato gabime që rezultojnë skualifikuese”.

9 – Besoj se përzgjedhja është thjesht çështje fati…

Zyra konsullore: “Përzgjedhja është krejtësisht e rastësishme dhe kryhet nga Qendra Konsullore Kentucky, SHBA. Çdo aplikuesi i vendoset një numër dhe kompjuteri në Qendrën Konsullore Kentucky përzgjedh numrat, pa asnjë dallim. Më pas shikohen aplikimet që kanë kryer regjistrim më shumë se një herë dhe skualifikohen. Pasi personi rezulton i përzgjedhur dhe i caktohet data e intervistës, është oficeri konsullor që shqyrton çështjen e tij/saj dhe merr vendimin final për vizën, bazuar në kualifikimin dhe pranueshmërinë për vizë të aplikantit. Dhe mund t’ju jap edhe shembuj, kur një person është përzgjedhur dy vite rresht, apo në një familje tjetër kanë rezultuar të përzgjedhur të dy bashkëshortët në të njëjtin vit. Seksioni Konsullor njoftohet mbi listën e të përzgjedhurve të cilët kanë intervistën në muajin pasardhës rreth 1 deri 2 muaj para intervistës së tyre”.

Kolonë

Nëse keni vizë turistike

-Sa kohë mund të qëndroj në Shtetet e Bashkuara?

Zyrtarët e kufirit të Shteteve të Bashkuara përcaktojnë se sa kohë mund të qëndroni në Shtetet e Bashkuara. Për shumicën e mbajtësve të vizave të vizitorit (B1/B2), koha maksimale e qëndrimit është në përgjithësi gjashtë muaj në një vit kohor. Studentët, vizitorët e e programeve të shkëmbimit dhe punëtorët e përkohshëm janë në përgjithësi të pranuar për kohëzgjatjen e statusit (e shkruar “d/s” në pasaportën tuaj). Pavarësisht nga kjo, për të shmangur në të ardhmen problemet me vizën apo me hyrjen në Shtetet e Bashkuara, qëllimi dhe koha e qëndrimit në Shtetet e Bashkuara duhet të jetë në përputhje me çfarë keni thënë në aplikimin për vizë.

Sa kohë mund të qëndroj me vizën B1/B2 në SHBA? Ambasada e Shteteve të Bashkuara lëshon viza 3-vjeçare. A do të thotë kjo që unë mund të qëndroj në SHBA për tre vite?

Një vizë nuk garanton hyrjen në SHBA, por ju lejon të vini nga jashtë e të udhëtoni në pikën e hyrjes në SHBA dhe të kërkoni leje për të hyrë në SHBA. Zyrtarët e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit, Departamenti i Sigurisë Kombëtare, kanë të drejtën të japin lejen apo të mos pranojnë hyrjen në SHBA, si dhe të përcaktojnë se sa kohë mund të qëndroni. Ky zyrtar, pasi ju lejon hyrjen, ju vendos një vulë në pasaportë, ku ka ose një datë, ose një shënim D/S (duration of Status). Nëse vula juaj e pranimit ka një datë specifike, atëherë ju duhet të largoheni nga SHBA përpara kësaj date.

Për shumicën e vizave të vizitorëve (B1/B2), maksimumi i kohës është zakonisht gjashtë muaj në një vit kohor. Kini parasysh që në përgjithësi nuk lejohet të punosh në SHBA ndërkohë që je me vizë turistike. Për të shmangur probleme të mëvonshme me vizën apo probleme me hyrjen në SHBA, qëllimi dhe kohëzgjatja juaj e udhëtimit duhet të jetë në përputhje me kohën që keni deklaruar gjatë aplikimit tuaj për vizë dhe gjatë intervistës suaj në Seksionin Konsullor.

Kam qëndruar gati gjashtë muaj në SHBA, u ktheva për tre javë në Shqipëri, dhe dua të iki përsëri në SHBA, a mundem?

Jo. Një vizë 3-vjeçare nuk do të thotë që ju mund të qëndroni në SHBA për tre vite. Në përgjithësi ju nuk mund të qëndroni më shumë se gjashtë muaj në një vit. Nëse ju e bëni një gjë të tillë, zyrtari i Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit do jua anulojë vizën dhe do ju kthejë mbrapsht. Qëndrimi përtej afatit të lejuar nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, apo qëndrimi jashtë statusit në SHBA është shkelje e ligjit të imigracionit të SHBA-së dhe mund t’ju bëjë ju të papranueshëm për vizë në të ardhmen.


Comments

4 responses to “Zyra konsullore: Si të veproni për Lotarinë, vizat turistike dhe bashkimet familjare. Përgjigje të pyetjeve të qytetarëve”

  1. Pershendetje,jam mesuese tash 32 vite .Kam punuar me shpirt te edukoj sa e sa breza .kam rritur 3 djsm e shkolluar .kam djalin ne amerike ms nuse studiojne qe te dy.sh mire .Aplikova me djale 23 vhec studion per kriminalistike.Na u refuzua viza.Nuk ne shqetesoj ky fakt por konsulli gjate 3min interviste u largua dy here .Sa papergjegjshmeri .Ai nuk e mendoj fare se perballe kishte nje nheri qe nuk u shqetesua sh per vizen por me shume per njerezit qe jane prezdnt aty

  2. Pershendetje..Ka ndonje menyre tjeter per te shkuar per te punuar ne amerike?? Vec llotaris qe eshte me shance.Ju faleminderit.

  3. NERGJIVANE Avatar
    NERGJIVANE

    Pershendetje
    ne llotarin per green card 2019 jam perzgjedhur nr im si fitues por desha te di si mund ta mesoj daten e intervistes dhe dokumentet cilat kerkoh per dorzim , hapat e metejm .

  4. Elsonshatri Avatar
    Elsonshatri

    A mundem un te apliko per ne amerik

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *